KUR'ANI, KADIANIZMI DHE SHQIPTARËT
Halil IBRAHIMI
Përdorimi i Kur'anit nga kultet kundër Kur'anitMegjithëqë Islami depërtoi në Ballkan shekuj më parë, tentimi për përkthimin e Kur'anit tek shqiptarët vonoi për një kohë si rezultat i rrethanave shoqërore, historike dhe institucionale me të cilat u ballafaquan ata gjatë shekujve. Kur'ani si promotor dhe inspirues i njerëzimit gjatë gjithë historisë cyti kërshërinë përkthyese edhe të personaliteteve më të njohura të kulturës shqiptare, veçanërisht gjatë Rilindjes Kombëtare, për të rezultuar përfundimisht në vitin 1985 me përkthimin e parë komplet në gjuhën shqipe nga Feti Mehdiu. Po qe se përkthimi i Kur'anit komplet në shqip do të vonohej vetëm për nja katër-pesë vite, Muhammad Zakaria Khan i Komunitetit Ahmedia do të hynte në analet e islamologjisë shqiptare si përkthyesi i parë i Kur'anit të tërë në shqip në kohën moderne.
Përdorimi i Kur'anit me qëllim të vendosjes së dogmave dhe besimeve që janë në kundërshtim me Islamin Ortodoks tradicional është parë qysh në vitet e shtatëdhjeta e të tetëdhjeta nëpërmjet literaturës së Dëshmitarëve të Jehovait dhe veçanërisht pas viteve të nëntëdhjeta në literaturën Baha'i, mirëpo Xhemati Mysliman Ahmedia
[1] është gjetur në krye të këtyre përpjekjeve i cili përveç botimit të literaturës së shumtë në shqip ka bërë edhe dy botime të Kur'anit komplet me komentim në gjuhën shqipe. Për shembull përkthimi i disa ajeteve Kur'anore nëpër literaturën e hershme në shqip të Dëshmitarëve të Jehovait ka qenë bazuar të shumtën në përkthimet e Kur'anit në boshnjakisht, herë herë me shmangie të qëllimta nga kuptimi i vërtetë në mënyrë që këto përkthime të mbështesnin botëkuptimin e parashtruar të literaturës përkatëse. Njësoj është vepruar edhe në literaturën e shumtë Baha'i. Megjithëqë shumica e ajeteve Kur'anore në literaturën Baha'i janë dhënë sipas përkthimeve zyrtare të Bashkësisë Islame Shqiptare, në shumë raste të tjera ka pasur devijime në ajetet e cituara në literaturën e tyre në shqip në dëm të përkthimeve ekzistuese. Në njërin nga botimet Baha'i në shqip, përkthyesi është detyruar që ta përmendë problemin e mospërputhjes së ajeteve të dhëna në literaturën e tyre me botimet zyrtare të Kur'anit në shqip dhe është evidente se mospërdorimi i përkthimeve zyrtare në shqip në këto raste është rezultat i tentimit të mbështetjes së ideve të caktuara sektare me ajete Kur'anore.
[2]Ky do të ketë qenë midis tjerash edhe njëri nga qëllimet që Komuniteti i Kadianit i hyri punës së përkthimit të Kur'anit në shqip në mënyrë që problemet e tilla të krijuara me përdorimin e përkthimeve që nuk i shkojnë për shtati bindjeve të caktuara sektare të evitohen. Përderisa linguistët e kanë studiuar këtë përkthim nga aspekti gjuhësor dhe i kanë trajtuar me finesë gabimet trashanike të tij në përkthim, pak kush ose askush nuk është marrë me konstelacionin e qëllimeve dhe ideve të cilat kanë qëndruar prapa kësaj veprimtarie të bujshme botuese të Xhematit Ahmedia. Dhe as nuk ka pasur ndonjë studim serioz të dallimit të mësimeve burimore të Kadianizmit me themelet e Islamit Sunit prezent tek shqiptarët, ndërsa shumica e shkrimeve të bëra si përgjigje ndaj veprimtarisë së sektit kanë qenë përkthime të literaturës gjysmake të bazuara në burime indirekte.
Në sytë e myslimanëve ortodoksë e tërë kjo veprimtari e sekteve është parë si përdorim i Kur'anit me qëllim të vendosjes së besimeve që janë në kundërshtim me esencën e vet Kur'anit dhe Islamit.
Lindja e kultit dhe kontaktet e para me shqiptarëtMirza Ghulam Ahmedi i cili qëndron në themel të Sektit Ahmedia, u lind në vitin 1836 në fshatin Kadian të Penxhabit. Në kohën kur ai po formohej dhe po rritej shpirtërisht, India ishte e okupuar nga Anglia dhe si asnjëherë më parë po lulëzonte fushata e misionarizmit kristian e cila kishte prodhuar akuza të shumta dhe të njëpasnjëshme të detajuara kundër Islamit dhe personit të Profetit Muhamed. Shenjat e një kundërfushate nga këndvështrimi i mirëfilltë burimor Kur'anor veçse kishin filluar edhe më herët mirëpo të shumtën kjo haste në vështirësi të shumta duke qenë se një veprimtari e suksesshme në këtë pikëpamje kërkonte edhe një njohje të mirë edhe të burimeve të gjithmbarshme të religjioneve komparative dhe të mendësisë perëndimore prej nga merrnin nismë antiislamizmat e tilla. Mirza Ghulam Ahmad në periudhat e para të veprimtarisë së tij u shqua për një njohje të shkëlqyer të këtyre konstelacioneve religjioze dhe mund të thuhet se qasja e tij e hershme ndaj satanizimeve që i bëheshin Islamit dhe prezantimi i burimeve autoktone të Islamit ishte i kënaqshëm, mirëpo studiuesit e pranojnë edhe se ndërveprimet perëdimoro-kristiane gjithashtu anasjelltas ndikuan në formësimin e botëkuptimeve të tij të mëvonshme të cilat krijuan alergjinë e pastajme të botës myslimane ndaj mësimeve të kultit që u formua në bazë të mësimeve të tij. Për shembull koncepti i tij për Xhihadin, Mesinë eshatologjiik, përshpirtërimin e Islamit dhe një mori idesh të tjera janë thjeshtë një ndikim i qartë i ideve perëndimore për religjionin të cilat nuk ishte e thënë medoemos të ishin të huaja për Islamin por mënyra se si ato paraqiteshin me një petk të ri i bëri të dyshojnë shumë myslimanë ortodoksë të kohës e edhe më pas. Është e padyshimtë se në konceptimin e tij të Islamit dhe në paraqitjen e tij nëpërmjet shkrimeve pati ndikim të veçantë edhe origjina sufiste dhe shiite e rrethit ku ai në disa raste kishte marrë direkt mësime të veçanta në periudha të caktuara të jetës së tij. Ai këtyre mësimeve iu dha vulën personale të të kuptuarit të vet dhe nga këtu shihet qartë se Mehdiu i Pritur, thirrja për një vendosje të jetës së përjetshme në qendër të kontaktit direkt personal të individit me Perëndinë dhe predikimi i një Islami centralist Imamor (në këtë rast Imam do të ishte përvoja e tij personale) ishin ide që vinin nga botëkuptime të tilla dhe me këto origjina mund të sqarohet edhe mishmashi e hutia që krijuan shkrimet e tij në rastet kur elaborohej çështja e përfundimit të Profetësisë. Zanafillën e këtyre ideve ai do ta ketë huazuar nga shiizmi mirëpo në formën përfundimtare të tyre ato më së paku ngjanin me besimet përkatëse shiite. Megjithëse ai nuk e mohoi se Muhamedi a.s. ishte i fundit i Pejgamberëve dhe Kur'ani kushtetuta e fundit e kësaj bote, prapëseprapë idetë e tij sufiste rreth termeve nebi dhe resul me të drejtë shkaktuan revoltën e masave të gjëra myslimane ndaj mësimeve të tij dhe gjithashtu dhanë arsye për ndarjen e mëvonshme të pasardhësve të Ghulam Ahmedit pikërisht rreth çështjes së Profetësisë së tij të supozuar. Sipas tij shpallja e Zotit dhe komunikimi i Tij me njerëzit nuk kishte përfunduar, e ky pohim do të ishte i drejtë dhe i parrezikshëm nëse do të ruhej natyra sufiste e predikimeve të tilla sepse për një sufi është esenciale që të ketë kontakt direkt me Allahun xh.sh., mirëpo kur këto ide sufiste u përzien me preparate të tjera religjioze joislame dhe u predikuan nën petkun e retorikës tradicionale të Islamit ortodoks, ato nuk kishin si të mos prodhonin paqartësitë të cilat e përcjellin edhe sot e kësaj dite kultin Ahmedia.
Pikërisht mbi kontroversat e tilla rreth përfundimit të profetësisë apo jo, vetëm pak vite pas vdekjes së Ghulam Ahmedit, aty diku rreth vitit 1914 Komuniteti Ahmedian u nda në dysh: në Degën e Kadianit të kryesuar nga Mirza Mahmud Ahmed, i biri i Ghulam Ahmedit të cilët besonin se Mirza Ghulam Ahmedi ishte profet i Allahut xh.sh. dhe të cilët shpallën për mohues të Zotit të gjithë ata që nuk e pranonin këtë, dhe në Degën e Lahores të cilët megjithatë mbanin qëndrimin se Mirza Ghulam Ahmedi ishte vetëm dijetari i shekullit, Mesia dhe Mehdiu i Pritur në kuptimin simbolik i cili e ringjalli Islamin dhe të cilët megjithë shmangiet e caktuara nga Islami tradicional ortodoks prapëseprapë nga shumica e dijetarëve Islamë nuk u ekskomunikuan nga Bashkësia e Myslimanëve.
Vetëm disa vite pasi që themeluesi i Sektit Ahmedia, Mirza Ghulam Ahmedi kishte ndërruar jetë, misionarët dhe figurat më të larta të këtij komuniteti filluan ta vënë në cak të veprimtarive të tyre popullin shqiptar si ndër të vetmit popuj evropian me shumicë myslimane, duke tentuar kështu të krijojnë në popull të tërë misionar për zgjerimin e veprimtarive të tyre në kontinentin e vjetër e edhe më gjerë në Perëndim. Edhe pse dëshira për kontakt dhe bashkëpunim i kishte ardhur Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga të dy degët e Ahmedias, ishte Dega e Lahores ajo që arriti ta mbajë dhe thellojë një bashkëpunim konstruktiv me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë gjithandej viteve te tridhjeta të shekullit XX e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kur kontakti u ndërpre me ardhjen në pushtet të komunistëve në Shqipëri. Bashkëpunimi ishte aq i thellë sa që literatura Ahmediane e Lahores (kryesisht ajo që nuk ishte direkt në opozitë të Islamit Sunit) depërtoi me të madhe në periodikun islamik shqiptar të kohës. Madje një numër i konsiderueshëm i medresantëve nga Shqipëria u dërguan për shkollim në institucionet Ahmediane të Degës së Lahores dhe në një kohë të caktuar qarqe të caktuara të myslimanëve shqiptarë u alarmuan me depërtimin finok të mësimeve rreth Mesisë, rreth Mehdiut të Pritur etj të cilat po u servireshin atyre nga këta studentë shqiptarë të Ahmedias nën petkun e Islamit por që ishin krejt ndryshe nga mësimet tradicionale që ata i dinin. Në shumë numra të Zanit të Naltë dhe më pas Kulturës Islame gjatë viteve te tridhjeta dhe në gjysmën e parë të viteve dyzet, kishte përkthime të artikujve me origjinë nga Dega e Lahores. Figura të njohura të kohës si Sherif Putra, Junus Bulej, Omer Sharra, Ismail Muçej e të tjerë në mënyrë aktive ishin të kyçur në këtë veprimtari nëpërmjet përkthimit të literaturës
[3]. Në periodikun e kohës dhe në librat e përkthyer të Degës së Lahors kishte edhe përkthime fragmentare të ajeteve Kur'anore sikur edhe komentime të këtyre të cilat me gjasë i përmbaheshin linjës dhe ideve të përkthyesit në anglisht të Kur'anit, përndryshe udhëheqësit të Degës së Lahores për një kohë të gjatë, Moulana Muhammad Ali. Interpretimi i Kur'anit që vinte nga këto veprimtari s'do mend se ishte i frymëzuar në mënyrë indirekte nga shkrimet e Ghulam Ahmedit mirëpo Dega e Lahores ishte e kujdesshme që idetë e tilla të ndërlidheshin me modernizimin e Islamit të propaganduar edhe nga qarqe të tjera jashtë Ahmedianizmit dhe nga këtu edhe dogmat e ndryshme tipike Ahmediane (Mesia i Pritur, vdekja e Krishtit, ringjallja individuale etj etj) komentoheshin dhe sqaroheshin në shërbim të këtij modernizimi. Për shembull bazuar në shkrimet e Ghulam Ahmedit, Krishti kishte pësuar një vdekje natyrore pas tentimit për ta kryqëzuar atë dhe ishte e padenjë pritja e myslimanëve për një ardhje të tij të dytë. Njësoj Mehdiu i Pritur nuk ishte një kalorës gjysëmhyjnor i cili do tua sillte myslimanëve ndonjë çlirim të pritur, por ishte vetë ai (Ghulam Ahmedi) i cili këtë çlirim dhe kthjelltësim e sillte nëpërmjet ringjalljes shpirtërore të komunitetit mysliman. I tërë Kur'ani dhe tradita Islame merrte një kuptim më ndryshe nën dritën e këtyre komentimeve dhe kjo po bartej gjithandej Shqipërisë nëpërmjet literaturës Ahmediane e edhe nëpërmjet aktiviteteve spontane misionare të nxënësve shqiptarët të Lahores. Nuk është i tepërt supozimi se po të mos stopohej aktiviteti fetar nga komunistët, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë sot do të ishte një degë e fuqishme e Komunitetit Ahmedia të Lahores. Është jashtë domenit të këtij studimi për të vërtetuar nëse ndikimi i Degës së Lahores në Islamin shqiptar ishte i dëmshëm apo kishte në të ndonjë dobi konstruktive. Duke ditur se Dega e Lahores i qasej Komunitetit Shqiptar Mysliman më tepër në pikat që nuk shkaktonin ndasi dhe që ishin imperative për tu marrë në konsideratë gjithandej vendeve Islame, atëherë disa analistë janë të mendimit se ndikimet që solli Dega e Lahores në Komunitetin Mysliman Shqiptar kishin pika të shumta pozitive dhe po e kthjellonin Islamin shqiptar në shumë raste tepër para se kjo të ndodhte në disa vende Islame të Lindjes bie fjala.
Kontakti i Degës së Kadianit me shqiptarët dhe ndikimi i këtij në formësimet e asokohshme të Islamit shqiptar, është i vogël dhe i zbehtë. Bazuar në disa burime të Kadianizmit
[4], në vitin 1936 me urdhrin direkt të Kalifit të Degës së Kadianit u dërgua në Shqipëri për veprimtari misionare personi i quajtur Muhammad Din. Sipas burimeve të njëjta ky person hasi në telashe me pushtetin e asaj kohë në Shqipëri për shkak se njerëzit ishin ankuar ndaj predikimeve të tij. Bashir Ahmad në librin e tij "Ahmadiyya Movement - British-Jewish Connection"
[5] pohon se Muhammad Din pas dëbimit nga Shqipëria e themeloi një qendër të kultit Ahmedia në Kosovë, mirëpo nuk ka ndonjë të dhënë të sigurt se ai zhvilloi ndonjë aktivitet në Kosovë. Ajo që dihet me siguri është se ky misionar i Kadianit me ndihmën e shqiptarit Sherif Dotsa kaloi nëpërmjet Kosovës në Beograd, prej nga gjithashtu u dëbua për shkak të predikimeve Kadianiste. Sherif Dotsa ngjan të ketë qenë një nxënës frymor i Muhammad Din dhe në listat zyrtare të Degës së Kadianit ai figuron si shqiptar i persekutuar dhe si martir i vrarë në Shqipëri për shkak të bindjeve Ahmediane. Me gjasë ai u vra bashkë me tërë familjen nga komunistët në vitin 1946 nën akuza për bashkëpunim me pushtuesit.
[6]Përkthimi i Kur'anit dhe aktivitetet tjera të Degës së Kadianit pas viteve tetëdhjetëNë kohën kur po shiheshin shenjat e para të rënies së sistemit komunist, trojeve shqiptare ia mësyu misionari me origjinë pakistaneze Muhammad Zakaria Khan diku në fillim të viteve tetëdhjetë. Duke pasur parasysh veprimtarinë e hershme të të dy degëve të Ahmedias tek shqiptarët, nuk ishte e rastësishme rinisja e aktivitetit për botimin e literaturës Ahmediane në shqip në vitet e tetëdhjeta nga studenti i albanologjisë Zakaria Khan i cili aktivitet u kurorëzua edhe me përkthimin dhe komentimin e Kur'anit nga ai në shqip. Zakaria Khan kishte studiuar gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitet e tetëdhjeta dhe shumë shpejtë pas mësimit të gjuhës shqipe do të bëhej apostulli i Kadianizmit midis shqiptarëve. Në një vakuum të literaturës islame dhe sidomos në mungesë të botimeve të mirëfillta Kur'anore në shqip, Ahmedianët i ofronin shqiptarëve një shërbim të tillë mirëpo të mbështjellë me çmimin e mësimeve kadianiste në të gjitha rastet.
Botimi i parë i Degës së Kadianit në shqip në këtë periudhë duket të jetë broshura e vitit 1988 "Hadithe të zgjedhura (të thënat e Profetit të Shenjtë)"
[7] e cila është pasuar një vit më vonë me përmbledhjen 52 faqëshe "Ajete të zgjedhura të Kuranit të shenjtë"
[8] që përmbante sure dhe pjesë të caktuara tematike të Kur'anit të cilat ishin përzgjedhur siç thuhet nga vetë Hazrat Mirza Tahir Ahmadi, Kryetari suprem i Lëvizjes Botërore Myslimane Ahmediane
[9]. Përkthimi i ajeteve Kur'anore të kësaj përmbledhjeje është bërë nga Muhammad Zakaria Khan dhe ky është vetëm versioni i parë i punës së tij në përkthimin e Kur'anit në shqip. Ajetet dhe suret e përkthyera në këtë broshurë duket të jenë puna e hershme e përkthyesit dhe lëngojnë nga gabime të shumta gramatikore, leksikore, kuptimore etj, dhe dallojnë në raste të caktuara dukshëm me përkthimin final të Kur'anit në shqip të kryer nga po i njëjti person. Në që të dy këto publikime i është kushtuar kujdes i veçantë prezantimit të ideve Kadianiste rreth shpalljes së profetësisë së supozuar të Mirza Ghulam Ahmedit duke e mbështetur këtë në rastin e parë me hadithet rreth ardhjes së dytë të Isaut a.s. e Mehdiut të Pritur
[10], dhe në rastin e dytë me komentet vetanake të përkthyesit rreth ajeteve Kur'anore që flasin për profetët dhe profetësinë
[11]. Kjo është pasuar me një sërë publikimesh të tjera në shqip, qoftë të shkrimeve të Ghulam Ahmedit, qoftë të udhëheqësve shpirtërorë të kultit, që të gjitha të përkthyera nga Muhammad Zakaria Khan dhe në të gjitha është e qartë fryma Ahmediane e shtjellimit të Islamit duke filluar nga dogma për vazhdimësinë e profetësisë josheriatbartëse, Mesianizmin e themeluesit të kultit dhe duke e përforcuar këtë tutje me idetë e pacifizimit Ghulam-ian të Islamit dhe rivendosjes së Kalifatit të Ri Islamik të Ghulam Ahmedit. Shumë nga librat e përkthyer janë ribotuar disa herë, në raste të caktuara gjatë viteve të nëntëdhjeta në dhjetëra mijëra kopje, veçanërisht në kohën kur synohej fillimi i një fushate grandioze misionare midis emigrantëve shqiptarë nëpër Evropë.
Në vitin 1990 doli në dritë botimi komplet i përkthimit me komentim të Kur'anit
[12] në gjuhën shqipe kryer po nga Muhammad Zakaria Khan. Libri përmban mbi 900 faqe dhe është pohuar të jetë përkthyer direkt nga arabishtja megjithëse është e qartë se përkthyesi ka përdorur gjatë punës si tij në mënyrë intensive qoftë përkthimet Kadianiste të Kur'anit në anglisht, qoftë përkthimet e mëhershme të Kur'anit në gjuhën shqipe. Përderisa kualiteti gjuhësor i përkthimit është më i mirë se sa te përkthimi fragmentar i botuar në vitin 1989, prapëseprapë janë evidentë në një dyzinë rastesh lëshimet e të gjitha formave. Mirëpo nuk ishte aq shumë përkthimi sa ishte komentimi i përkthimit kryer nga Zakaria Khan, ai që krijoi polemika të shumta në shtypin islam të kohës në gjuhën shqipe, veçanërisht në Kosovë. Edhe shtjellimi linguistik i përkthimit ishte i pranishëm në shtypin islam të kohës dhe mbase pikërisht këto studime të përkthimit i shërbyen Muhammad Zakaria Khanit si cytje për ripërpunimin e përkthimit të tij i cili u kurorëzua me botimin e dytë në vitin 2003
[13], plotë 13 vite pas publikimit të botimit të parë dhe në kohën kur Khan duket ta kishte përsosur dukshëm shqipen e tij. Botimi i dytë i rishikuar është publikuar në 3000 kopje, përmban rreth 1200 faqe dhe sipas autorit të përkthimit dhe komentimit është pothuajse një përkthim i ri i pasuruar edhe me komente shtesë, duke pasur parasysh gabimet e shumta tekniko-gjuhësore të botimit të parë, siç pohon edhe vetë përkthyesi.
[14]Në kohën sa studioi dhe veproi në Kosovë Muhammad Zakaria Khan, thirrjes dhe punës së tij iu përgjigjën një numër skajshmërish i vogël njerëzish, mbase gjithsej mezi e kalonin numrin njëshifror. Duke filluar nga fundvitet tetëdhjetë dhe gjithandej të nëntëdhjetave dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës kishin emigruar në vendet perëndimore Evropiane dhe duket sikur për një kohë aktiviteti i Degës së Kadianit u zhvendos në diasporë pa pushuar tërë kohën edhe përpjekjet për ngritjen e një dege të fuqishme misionare në Kosovë dhe Shqipëri. Mirëpo edhe në diasporë numri i pasuesve shqiptarë të Kadianizit nuk mund të thuhet se ishte i kënaqshëm megjithëqë herë herë janë dhënë mjaft shifra të fryra nga burime të ndryshme. Aludimi i parë për një pranim të Kadianizmit në përmasa të mëdha në mesin e emigrantëve shqiptarë, shihet në librin "Informacione themelore dhe esenciale rreth Xhematit Ahmadia" të autorit Al-Haxh Ata Ullah Kalim botuar nga Dega e Kadianit në Gjermani
[15]. Duke folur rreth disa koncesioneve të cilat i ka aprovuar Kalifi i IV i Degës së Kadianit në pagesën e taksave për besimtarët ahmedianë, përmenden edhe shqiptarët dhe boshnjakët si dy komunitete të reja të Ahmedianizmit dhe të cilët për shkak të disa rrethanave ku ata gjenden janë të liruar nga pagesa e 1/6 të të ardhurave të tyre mujore.
[16] Një publikim tjetër zyrtar i Degës së Kadianit në gjuhën angleze e pohon një shifër pompoze të shqiptarëve të konvertuar në kadianizëm. Sipas këtij burimi krahas 100 000 refugjatëve boshnjakë që kanë hyrë në Kadianizëm janë edhe rreth 45 000 shqiptarë të cilët i janë përgjigjur ftesës së Kadianizmit.
[17] Se shifrat janë pompoze nuk do diskutim dhe ka pasur një sërë kontraverzash të bëra edhe publike të cilat pohonin mashtrimet e bëra në raste të shumta nga qarqe të caktuara të Degës së Kadianit gjatë paraqitjes së numrit të pasuesve të saj. Këto shifra të fryra janë përdorur edhe në shumë burime të tjera neutrale
[18] dhe me gjasë të gjitha këto kanë për burim një shkrim amatoresk të një autori nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
[19]Pas rënies së komunizmit dhe rivendosjes së lirisë së besimit në Shqipëri Muhammad Zakaria Khan është zhvendosur në Tiranë dhe aty është udhëheqës i misionit të Xhematit Mysliman Ahmedia. Megjithë përpjekjet e mëdha materiale dhe misionare mund të thuhet se edhe në Shqipëri Dega e Kadianit nuk hasi në ndonjë rezultat i cili ia vlen për tu veçuar. Xhamia Kadianiste e ndërtuar në periferi të Tiranës duket të jetë tepër e madhe për numrin e besimtarëve shqiptarë kadianistë të deklaruar deri më tani. Në Prishtinë gjithashtu pas Luftës së vitit 1999 është formuar Xhemati Mysliman Ahmedia nën mbikëqyrjen e një misionari të huaj dhe një tjetri vendas. Një numër modest i shqiptarëve kosovarë janë të inkuadruar brenda kësaj qendre, kryesisht studentë të Universitetit të Prishtinës. Numri i përgjithshëm i anëtarëve të kësaj qendre llogaritet të jetë rreth 30-40 persona në tërë Kosovën. Përderisa dështimi i kultit në Kosovë veçse edhe do të ketë qenë i parashikueshëm për shkak të traditës pak a shumë stabile të Islamit Sunit, debakli i kultit në Shqipëri mund të ketë për arsye si moskoordinimin profesional të aktiviteteve misionare ashtu edhe qasjen e shtangur dhe të pamenduar mirë të kultit drejt mentalitetit shqiptar. Kësaj qasjeje i kanë munguar elementet bazë të cilat do ta nxitnin një shqiptar mesatar të mendonte më thellë për dogmat bazë të Kadianizmit e kjo mbase është rezultat i mungesës së një alibie serioze të kultit karshi Islamit Ortodoks.
Për momentin nuk ka shenja se diçka do të ndryshojë në këtë aspekt mirëpo gjenerata e fundit e të të konvertuarve Kosovarë në Kadianizëm e cila përbëhet kryesisht nga studentë, megjithëse në numër të paktë, mund të jetë paralajmërim për një misionarizëm të mirëfilltë në një mjedis ku metodat e komunikimit të Islamit Sunit akoma çalojnë dhe lënë shumë për tu dëshiruar.
Përkthimi i Kur'anit nga Muhammad Khan dhe sfidat e komentimit të tij karshi traditësGabimet linguistike të përkthimit të Kur'anit nga Muhammad Khan janë evidente dhe janë pranuar edhe nga vetë përkthyesi, mirëpo është komentimi i tij ai që ka ngjallur polemikat kryesore në opinionin mysliman shqiptar, megjithëqë nuk ka pasur ndonjë qasje të detajuar dhe burimore të komentimit të tij. Ka pasur vetëm shqyrtime fragmentare dhe atë të shumtën sipas logjikës me të cilën studimet dhe publicistika e Lindjes i qaset kultit. Përkthimin dhe veçanërisht komentimin e Kur'anit, Muhammad Zakaria Khan e mbështetë me të madhe në përkthimet dhe komentimet zyrtare në anglisht të Degës së Kadianit të kryera nga Malik Ghulam Farid dhe Mirza Bashirudin Mahmood Ahmad, edhe pse nuk e ka bërë në asnjë rast të njohur se i ka shfrytëzuar këto burime por stilistika e përkthimit dhe esenca e mënyrës së të komentuarit të dërgojnë direkt tek këto dy burime.
Autori i ka dhënë vetvetes liri të pakufizuar të komentimit të Kur'anit dhe ky komentim jo vetëm që bie ndesh me të kuptuarit tradicional të Islamit, dhe nga këtu i kundërvihet edhe tefsireve/komenteve të shekujve të hershme të Islamit, por në shumë raste është konfuz dhe nuk duket që të jetë përfaqësues i denjë edhe i pikëpamjeve zyrtare të Degës së Kadianit. Shembujt e tillë janë të bollshëm dhe janë një material i mirë për një studim serioz dhe krahasim me tefsiret e Islamit, ndërsa këtu ne do të ndalemi vetëm në disa shembuj të cilët më së shumti e tërheqin vëmendjen e lexuesit të komentarit të Muhammad Khanit.
Qëndrimi zyrtar i Degës së Kadianit është se Muhamedi a.s. ishte i fundit nga profetët vetëm në kuptimin që nuk do të ketë më Ligj (Sheriat) apo Libër të Shenjtë pas tij dhe se deri në fundin e botës do të vijnë profetë të ri të cilët do të jenë nën ombrellën e profetësisë së Muhamedit a.s. dhe do të veprojnë me Ligjin dhe Librin që iu shpallën atij. I tillë ishte Ghulam Ahmedi psh, ardhja e të cilit edhe është parashikuar në Kur'an dhe Hadithe, gjithnjë sipas besimeve të kultit. Kjo dogmë ka gjetur mbështetje në një mori rastesh në komentarin e Muhammad Khanit në shqip dhe është tentuar të argumentohet gjithandej qoftë edhe nëpërmjet manovrimeve në përkthim. Psh nga komentimi i ajetit 41 të sures 33 ku flitet për Muhamedin si përmbyllës të vargut të Profetëve, shihet qartë se është tradhtuar linja tradicionale e komentimeve Kur'anore në dobi të besimeve Kadianiste. Përderisa në botimin e parë
[20] të Kur'anit, Muhammad Khan në komentin e tij të ajetit vetëm ka aluduar se fjalët `vulë e profetëve' nuk nënkuptojnë medoemos se nuk do të ketë profetë të tjerë pas Muhamedit a.s., në botimin e dytë
[21] e ka dyfishuar këtë koment duke e përmendur në mënyrë eksplicite Mirza Ghulam Ahmedin në konotacionin e Imam Mehdiut, Mesisë së Pritur dhe vazhduesit të profetësisë së Muhamedit a.s. Në anën tjetër tefsiri i ibn Kethirit (psh si një tefsir i përdorur gjerësisht) dhe të gjithë tefsiret e të gjithë shekujve fjalët `vulë e profetëve' nga ky ajet i kanë sqaruar me fundin e profetësisë në të gjitha aspektet. Për më tepër ibn Kethir
[22] në komentin e tij për shembull jo vetëm që pohon se nuk do ketë resul por e bën të qartë se nuk do te ketë as nebi pas Muhamedit a.s. dhe këtë e mbështetë edhe me hadithe të profetit Muhamed, përderisa qëndrimi i Degës së Kadianit i shprehur edhe nëpërmjet komentit në shqip është se dera e profetëve josheriatsjellës kurrë nuk do të mbyllet. Tërheqja e dallimit midis këtyre dy llojeve të profetësisë shihet qysh në fillim të përkthimit të Kur'anit nga M. Khan, në pasqyrën tematike të lëndës, ku janë sjellur tri ajete për ta mbështetur këtë.
[23] Në këtë konstelacion idesh janë komentuar edhe një varg ajetesh të tjera duke i paraqitur si profeci për ardhjen e Mirza Ghulan Ahmedit si Profet dhe Reformator i Islamit.
[24]Duke i komentuar ajetet 54:2, 73:19 dhe 6:41 Muhammad Khan ka tentuar që këto ti ndërlidhë me ngjarjet e rënies së Mekës gjatë kohës së Profetit Muhamed, mirëpo mënyra se si përkthyesi e ka formuluar komentimin të bën të besosh se Muhammad Khan e ka fjalën për një rrënim të ardhshëm të Mekës dhe Arabisë. Në rastin e ajetit 54:2, Muhammad Khan nuk është mjaftuar vetëm me komentin në fusnotë por edhe në vetë tekstin e ajetit e ka shtuar në kllapa aludimin e tij për shkatërrimin e Arabisë.
[25] Një aludim i tillë nuk gjendet në vetë tekstin e ajetit në asnjërin nga të dy përkthimet zyrtare në anglisht të Degës së Kadianit ku e bazon komentimin e tij Muhammad Khan, mirëpo që të dy përkthimet në anglisht përmbajnë koment të zgjeruar në fusnotë ku flitet rreth përmbushjes së këtyre ajeteve në ngjarjet e lidhura me paganet arabë të Mekës në kohën e Muhamedit a.s. Ky është një shembull tipik i konfuzitetit që krijohet me komentimet gjysmake të Muhammad Khan e të cilat ishin të panjohura diku më herët në traditën Islame. Dhe është pikërisht kjo që e ka shtyrë gabimisht edhe studiuesin Emin Behrami
[26] që të mendojë se gjatë komentimit të këtyre ajeteve, Muhammad Khan është duke folur për një rrënim të ardhshëm të Arabisë dhe Qabes së myslimanëve.
Një shembull tjetër tipik i komentimit shumë të papërgjegjshëm bërë Kur'anit nga ana e Muhammad Khan është rasti i ajetit 55:32
[27] ku sipas të njëjtit është fjala për dy superfuqitë: Amerikë dhe Bashkim Sovjetik. Ky është shpjegimi i vetëm që ka dhënë komentuesi dhe është mjaftuar me kaq duke krijuar huti dhe paqartësi të detyrueshme. Të dy komentimet në anglisht të përmendura më herët në shtjellimet e tyre bërë këtij ajeti flasin në mënyrë gjenerale për mundësinë që ajeti të flasë në përgjithësi për dy të kundërta: arabët dhe joarabët në kohën e Profetit, dy superfuqitë në kohën moderne, etj etj. Qoftë edhe si i tillë ky është një komentin shumë i shthurur mirëpo të paktën në mënyrë decidive nuk e bën një koment të vrazhdë siç e ka dhënë Muhammad Khan. Është e qartë se Muhammad Khan i ka dhënë vetvetes liri të jashtëzakonshme gjatë komentimit të Kur'anit në shqip, liri kjo e cila në raste të caktuara siç shihet e bën të devijojë edhe nga linja zyrtare e komentimeve kadianiste në anglisht.
Në të gjitha rastet ku dogmat Kadianiste devijojnë nga linja e Islamit Ortodoks, përkthimi me komentim i Muhammad Khanit është i pajisur me komente të cilat vijnë në mbështetje të besimeve kadianiste pa dhënë ndonjë referencë ku do të mund të gjente arsyetim komentimi i tillë. Kjo vërehet për shembull në rastin e mohimit të muxhizeve të ndodhura për të cilat flitet në Kur'an e të cilave këtu u është dhënë konotacioni i alegorisë. Kështu psh në rastin e Isaut a.s. është mohuar se ai foli në moshën e fëmijërisë
[28], është mohuar se atij iu dha mrekullia e krijimit të zogjve nga balta dhe shërimi i të verbërve apo të sëmurëve nga lepra me urdhrin e Allahut xh.sh.
[29] E njëjta gjë ndodhë edhe me të gjitha mrekullitë tjera dhënë profetëve për të cilat gjithmonë është besuar në kuptimin e tyre tekstual nga bashkësia myslimane bazuar edhe në shpjegimin që e kanë dhënë hadithet e shumta. Poashtu janë komentuar në këtë frymë në harmoni me dogmat kadianiste dhe në kundërshtim me komentet standarde të Islamit ortodoks, edhe ajetet të flasin për xhinët sikur që edhe iu është dhënë kuptimi i simbolikës shumë ajeteve që e përshkruajnë Ditën e Gjykimit etj etj. Shembujt e tillë janë të shumtë dhe mund të jenë një objekt interesant i studimit nën dritën e tefsireve të kohës së hershme të Islamit dhe të vetë Kur'anit e Hadithit.
E tërë kjo liri gjatë të komentuarit të Kur'anit është rrjedhojë e alegorizimit të Islamit të vërejtur nëpër shkrimet e Mirza Ghulam Ahmedit dhe e njëjta qasje i ka karakterizuar edhe komentarët e Degës së Lahores megjithëqë në përmasa më të arsyeshme dhe më tradicionale. Mbetet të shihet nëse prapaskena e njëjtë e komentimit Kur'anor do të jetë prezente edhe në edicionin e Kur'anit në shqip që po përgatitet nga Dega e Lahores.
Përkthimi i Kur'anit në shqip nga Dega e Lahores
Diku kah fundi i viteve të nëntëdhjeta e veçanërisht në periudhën prej 2000 – 2003 është rinisur një bashkëpunim i dendur midis Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Degës së Lahores. Rifillimi i kontakteve korrespondon me sinjalet që vinin nga Dega e Kadianit për nisjen e një fushate të fuqishme të misionarizmit në kohën kur edhe këta të fundit kishin ndërtuar një xhami madhështore në kryeqendrën Shqiptare. Duke qenë se është mirë i njohur fakti se Dega e Lahores ka prodhuar literaturë të bollshme e cila i kundërpërgjigjet pohimeve të Degës së Kadianit rreth çështjeve të fundit të profetësisë dhe të qenit të Ghulam Ahmedit profet apo jo, ftesa për bashkëpunim ishte mbase pikërisht si rezultat i drojës që do të ketë ekzistuar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për veprimtarinë e Degës së Kadianit. Në këtë kohë siç mësohet nga deklarimet zyrtare të KMSH dhe Degës së Lahores këta të fundit i ofruan shqiptarëve dhjetëra mijëra kopje në shqip të librave të mirënjohur të udhëheqësit të ndjerë të Degës Maulana Muhammad Ali, të cilat u shpërndanë nëpërmjet Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Përveç kësaj Dega e Lahores është duke e përgatitur përkthimin e Kur'anit në shqip i cili me gjasë do të jetë një përkthim monumental pasi që bazohet me të madhe në përkthimin e mirënjohur në anglisht të Muhamed Aliut, përkthim ky i cili ka pasur dhe ka përdorim të gjerë midis muslimanëve anglishtfolës dhe ka shërbyer si bazë për mjaft përkthime të tjera. Përkthimi është marrë përsipër të kryhet nga Prof. Dr. Refik Kadija i Universitetit të Tiranës. Është thënë se Dega e Lahores është më tepër e interesuar që në kontakt me shqiptarët të promovojë vlerat e përbashkëta të Islamit dhe jo ato dogmatike të Ahmedianizmit mirëpo mbetet të shihet nëse ky përkthimi i Kur'anit do të jetë i ngjyrosur me komentime sektare ahmediane.
Dëshira për bashkëpunim i ka arritur nga Dega e Lahores edhe qarqeve të caktuara të myslimanëve shqiptarë të Kosovës mirëpo siç duket që në start kësaj ftese i është treguar një jomirëseardhje e madhe.
PërfundimStudiuesit e Ahmedianizmit i kanë shqyrtuar detajisht arsyet e mundshme të cilat sollën deri te formimi i kultit dhe ndarja e mëpastajme e tij në dy Degë. Në shkollën arabe dhe pakistaneze të teologëve dhe studiuesve që janë marrë me çështjen e Kadianizmit ka mbizotëruar ideja se kulti ishte pjellë e imperializmit Anglez të kohës dhe të njëjtat premisa janë përcjellë edhe në të gjitha shkrimet rreth Kadianizmit në shqip. Të pakta kanë qenë krahasimet fundamentale të burimeve të të dy degëve të Ahmedianizmit me themelet e Islamit dhe edhe më të vogla kanë qenë tentimet që sfidës së Kadianit ti jepet një përkushtim meritor në kohën kur që prej dekadash shqiptarët kanë qenë pikësynim i të të dy degëve të kultit.
Përkthimi i Kur'anit në shqip nga Mohamad Zakaria Khan është cytës për t'u studiuar nga të gjitha aspektet e fushave të Islamit dhe duke pasur parasysh se mijëra kopje të tij janë në qarkullim gjithandej trojeve shqiptare, emergjenca e këtij studimi të detajizuar bëhet evidente pa asnjë mëdyshje.
Shkrimet dhe aktivitetet e të të dy degëve të Kadianizmit ofrojnë material të bollshëm për studime të shumta serioze të cilat në anën tjetër janë të nevojshme dhe të domosdoshme në një mjedis ku infiltrimi i kulteve dhe sekteve të ndryshme në të shumtën e rasteve është përcjellë me një heshtje të paarsyeshme nga ana e udhëheqësve myslimanë shqiptarë.
Sidoqoftë një vetëdijesim i shqiptarëve drejt literaturës e cila vjen nga të dy degët e Ahmedias është jo i tepërt dhe më se i domosdoshëm në një teren ku depërtimi i sekteve është provuar të jetë arenë e fuqishme e interesave të caktuara në dëm të Islamit tradicional shqiptar.
Fusnotat:[1] Është fjala për Degën e Kadianit.
[2] "Kitab-i-iqan Libri i Sigurisë", Baha'u'llah, Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Baha-i-ve të Shqipërisë, Tiranë 1998, faqja 2 e Parathënies.
[3] Nathalie Clayer, "La Ahmadiyya lahori et la réforme de l'islam albanais dans l'entre-deux-guerres", dans Véronique Bouillier & Catherine Servan-Schreiber, De l'Arabie à l'Himalaya. Chemins croisés en hommage à Marc Gaborieau, Paris, Maisonneuve et Larose, 2004, faqe 211-228.
[4] "Tarikh Ahmadiyya Vol VIII", faqe.311 cituar sipas Bashir Ahmad në librin e tij "Ahmadiyya Movement - British-Jewish Connection"
[5] Versioni online i librit tek
www.alhafeez.org/rashid , kapitulli Underworld of Spies
[6] `Kalifi' i IV-të i Xhematit Ahmedia në predikimet e tij të xhumasë prej 16 Prillit deri më 23 Korrik 1999 ka përmendur një listë emrash të personave të martirizuar për bindjet e tyre Ahmediane. Midis tyre është edhe Sherif Dotsa nga Shqipëria. Sipas websajtit zyrtar të Xhematit Mysliman Ahmedia
http://www.thepersecution.org/ .
[7] "Hadithe të zgjedhura (Të thënat e Profetit të Shenjtë)" përkthyer nga Muhammad Zakaria Khan, Islam International Publication Limitted, Tilford – Surrey, United Kingdom, 1988
[8] "Ajete të zgjedhura të Kuranit të Shenjtë" përkthyer nga Muhammad Zakaria Khan, Islam International Publication Limitted, Tilford – Surrey, United Kingdom, 1989
[9] ibid, faqja 3 e Parathënies
[10] "Hadithe të zgjedhura (Të thënat e Profetit të Shenjtë)" përkthyer nga Muhammad Zakaria Khan, Islam International Publication Limitted, Tilford – Surrey, United Kingdom, 1988, faqe 25-27.
[11] "Ajete të zgjedhura të Kuranit të Shenjtë" përkthyer nga Muhammad Zakaria Khan, Islam International Publication Limitted, Tilford – Surrey, United Kingdom, 1989, faqe 10.
[12] "Kurani i Shenjtë" përkthim e komentim nga Muhammad Zakaria Khan, Islam International Publication Limitted Islamabad, Tilford – Surrey, United Kingdom, 1990. (Tash e tutje Botimi i parë)
[13] "Kurani Kerim" përkthim e komentim në gjuhën shqipe nga Muhammad Zakaria Khan Islam International Publication Limitted Islamabad, Tilford – Surrey, United Kingdom, 2003 (Tash e tutje Botimi i dytë)
[14] ibid, faqe III
[15] "Informacione themelore dhe esenciale rreth Xhematit Ahmadia" nga Al-Haxh Ata Ullah Kalim, Verlag Der Islam, Frankfurt-Germany, 1996
[16] ibid, faqe 46
[17] "73 Divisions in Islam and One True Jama'at" nga Dr. Ijaz A. Rauf, versioni online publikuar më 1996-1997 në sajtin zyrtar të Degës së Kadianit
http://www.alislam.org/ , kapitulli One Resembling Holy Prophet and His Companions
[18] psh
http://www.adherents.com/[19] Websajti: "Mohibban-e-Mustafa Presents: Anti Ahmadiyya Movement in Islam Homepage "; webfaqja: "Ahmadiyya Movement Against Islam - An Overview "; "Friday, Aug. 25, 1995 "; by Syed Rashid Ali, Dibba AlFujairah, United Arab Emirates "
http://alhafeez.org/rashid/overview.htm[20] Botimi i parë, faqe 571
[21] Botimi i dytë, faqe 776
[22] Komentimi i ibn Kethirit për ajetin 41 të sures 33, versioni online tek
http://www.tafsir.com/[23] Botimi i dytë, faqe XXXII, nëntitulli Profetët e Zotit.
[24] Psh komentimi i ajetit 21 të sures 36, pastaj ajetit 12 të sures 77, ajetit 2 nga surja 86, ajetet 5 dhe 6 të sures 113, ajeti 5 i sures 93, ajeti 8 i sures 61 etj etj (Botimi i dytë)
[25] "Momenti (i katastrofës së Arabisë) është afruar dhe hëna u ça (në dysh)" , Botimi i dytë faqe 989.
[26] Emin Behrami, "Qasje studimore rreth katër përkthimeve të Kur'anit në gjuhën shqipe", Prishtinë 1997, faqe 610-611
[27] Botimi i dytë, faqe 1000
[28] Botimi i dytë, komenti i Kur'anit 5:110, faqe 218
[29] Botimi i dytë, komenti i Kur'anit 3:50, faqe 103